FRYMË RE NË BALLKAN, ERDOGAN, BERISHA, SHQIPËRIA, KOSOVA…

 

Si perceptohet politika e jashte turke në Ballkan?

Zaman – Ajo çfarë përcakton suksesin në politikën e jashtme të një vendi të caktuar është se si shihet nga të tjerët më së shumti se si shihet nga vetë shteti. Këto perceptime mund të krijojnë mundësi për shtetin, por mundet të vendosin edhe pengesa. Dinamizmi i vërejtur në politikën e jashtme të Turqisë gjatë viteve të fundit është diskutuar jo vetëm brenda Turqisë por edhe në Ballkan.

Aktorët politikë po përpiqen të kuptojnë se çfarë po kërkon të bëjë Turqia në këtë rajon. Politika e jashtme e Turqisë nuk është mbuluar kurrë kaq intensivisht nga media e Ballkanit më parë. Në anën tjetër, politika e jashtme e Turqisë po diskutohet më gjerësisht nëpër konferencat rajonale.

Autoritetet dhe diplomatët turq kanë përsëritur shpesh parametrat themelorë të politikës së Turqisë në Ballkan. Megjithatë, disa intelektualë në vendet e Ballkanit janë të pakënaqur me deklaratat zyrtare dhe po përpiqen të eksplorojnë disa teori të errëta dhe misterioze mbi politikën e jashtme të Turqisë.

Bazuar në vëzhgimet e mija si dhe në përshtypjet që kam krijuar gjatë bisedimeve nëpër konferenca ku kam marrë pjesë si dhe nga leximet e raporteve të medias të Ballkanit gjatë tre viteve të fundit, është e mundur të argumentosh se ka dy perceptime mbi Turqinë në këtë rajon. Disa vëzhgues e perceptojnë Turqinë si një fuqi rajonale në rritje ndërsa disa të tjerë besojnë se Turqia po ndjek një politikë të jashtme neo-Otomane.

Perceptimi i superfuqisë në rritje

Suksesi ekonomik i Turqisë gjatë viteve të fundit, përmirësimet e të drejtave të njeriut dhe politika aktive e jashtme e Ankarasë kanë ndihmuar në krijimin e një përshtypjeje të përgjithshme në Ballkan mbi Turqinë si një superfuqi në rritje. Në mënyrë të ngjashme disa i kushtojnë vëmendje faktit që Turqia është një vend demokratik, modern dhe i aftë të përshtatet me vlerat islamike. Për më tepër, duhet të kihet parasysh se telenovelat turke kanë tërhequr vëmendje gjithnjë e më të madhe nëpër vendet e Ballkanit. Shfaqja e telenovelave ka rritur ndjeshëm ekspozimin e popujve të Ballkanit ndaj kulturës së Turqisë dhe kanë ndihmuar në përmirësimin e imazhit të këtij vendi në rajon.

Si një ekonomi me rritje të shpejtë pavarësisht krizës ekonomike botërore, Turqia ka tërhequr vëmendjen e Ballkanit. Për këtë arsye, investimet turke tashmë janë më aktive në rajon. Në vendet e Ballkanit Perëndimor ka veçanërisht shumë investime turke. Mund të pritet se bota turke e biznesit do të rrisë praninë e vet ekonomike në Ballkan gjatë viteve të ardhshme.

Frikë ndaj neo-Otomanizmit

Gjithsesi ka edhe një imazh negativ të Turqisë në rajon. Dhe ajo që është më e keqe është fakti që ky imazh negativ tërheq vëmendjen e publikut më shumë se sa ai pozitiv. Mbi të gjitha, rritja e interesimit të Turqisë mbi botën Arabe gjatë kohëve të fundit ka krijuar një imazh që sugjeron që Turqia po kërkon të bëjë një aleancë me botën Islamike dhe kjo nuk shihet mirë në 10 vendet e Ballkanit, ku 88 për qind e banorëve janë Kristianë.

Për më tepër, ky afrim në tentativë i atribuohet më së shumti konsideratave ideologjike dhe jo aq shumë interesave kombëtare. Përpjekjet e Ankarasë për të prezantuar politikën e vet të jashtme si të pavarur dhe të shkëputur nga ajo e Perëndimit nuk ka kaluar pa rënë në vëmendjen e Ballkanit. Është e qartë se ata që kanë kontribuar në përhapjen e imazhit negativ mbi Turqinë në rajon janë segmente të popullsisë që kanë antipati ndaj Islamit.

Gjithsesi, janë antipatitë historike në Ballkan kundër Turqve që kanë rol më të madh në aludimet se Turqia po ndjek një politikë neo-otomane në rajon dhe se ajo ka një axhendë sekrete.

Tekstet shkollore janë instrumentet më me ndikim për të përhapur propagandën kundrejt një vendi të caktuar. Librat e historisë kanë tendencën të përfshijnë gjykime të përgjithshme, vlera dhe deklarata që ndikojnë perceptimin e përgjithshëm. Një shikim mbi tekstet e historisë që përdoren në shkolla nëpër Ballkan tregon se popujt e rajonit e shohin me negativitet të shkuarën Otomane të shoqëruar me Turqit. Të rinjtë në Ballkan janë rritur me libra që i referojnë turqit si armiq. Sipas një vëzhgimi publik nga Gallup Balkan Monitor më 2010, 75.1 për qind të njerëzve në Shqipëri, 60.2 për qind në Bosnjë dhe Herzegovinë, 93.2 për qind në Kosovë dhe 76.6 për qind në Maqedoni, e shikojnë Turqinë si vend mik.

Gjithsesi, çështja ndryshon në vendet e Ballkanit Perëndimor ku popullata myslimane është relativisht më e vogël. Vetëm 26.7 për qind e njerëzve në Kroaci, 33.5 për qind në Malin e Zi dhe 18.2 për qind në Serbi e shohin Turqinë si vend mik.

Ata që janë ndikuar nga përmbajtja e librave të historisë dhe propaganda mbi neo-Otomanizmin kundër Turqisë kanë zhvilluar një imazh negativ mbi politikat e Turqisë në rajon. Ata besojnë se Turqia ndjek një politikë ekspansioni drejt Ballkanit me përmasa politike, ekonomike, kulturore dhe arsimore. Për shembull, këto qarqe i shohin investimet turke në rajon si instrumente të një pushtimi turk. Si në rastin e Kosovës, disa argumentojnë se investimet Gjermane dhe jo ato Turke duhet të promovohen.

Në mënyrë të ngjashme ka që besojnë se telenovelat turke janë pjesë e një ekspansioni kulturor të turqve në rajon. Disa shqiptarë arrijnë deri në pikën kur deklarojnë se telenovelat turke janë në kundërshtim me identitetin shqiptar.

Është e mundur të dallohet fuqia e antipative kundër Turqve në Ballkan në rast se shikon vizitën e kryeministrit bullgar Boyko Borisov në Ankara më 20 mars 2012. Vizita qe shumë e suksesshme. Shtatëmbëdhjetë marrëveshje në fushat e medias, transportit, teknologjive të komunikimit, turizmit, kulturës, ekonomisë dhe energjisë u firmosën mes delegacionit Bullgar dhe Turqisë. Pavarësisht këtij suksesi, media Bullgare e kritikoi vizitën. Mbi të gjitha, disa argumentojnë se premtimet turke nuk janë të sinqerta dhe se Turqisë nuk duhet t’i besohet. Përshëndetja që Borisov i bëri në turqish rojeve të nderit në Ankara gjatë ceremonisë u bë një pikë kyçe e kritikës së nacionalistëve bullgarë. Ndërkohë, disa politikanë në vendet e Ballkanit si në Greqi dhe Bullgari kanë hapur diskutime në politikën e brendshme mbi Turqinë.

Një problem i ngjashëm u vu re gjatë vizitës së kryeministrit shqiptar Sali Berisha në Turqi më 5 dhe 6 prill 2012. Në një fjalim në Ankara, Berisha iu referua turqve dhe shqiptarëve si popuj vëllezër, por media shqiptare i kritikoi ashpër këto komente.

Arsye për të mos patur mosmarrëveshje me Brukselin

Prania e Turqisë në Ballkan krijon gjithashtu shqetësime mbi aktorët jashtë rajonit. Disa vende evropiane në veçanti janë të shqetësuar se Turqia do të bëhet më e etur për të përhapur ndikimin e vet politik në Ballkan ndërsa bëhet më e fuqishme ekonomikisht. Këto vende Europiane ndoshta besojnë se interesat e tyre do të dëmtohen në rast se ndikimi i Turqisë rritet. Në këtë mënyrë, aktorët jo-rajonalë kanë luajtur një farë roli në promovimin e frikës ndaj neo-Otomanizmit.

Komunitetet e Muslimanëve, që përbëjnë 12 për qind të të gjithë popullsisë në rajonin e Ballkanit, e mirëpresin praninë e Turqisë në Ballkan, argumentojnë zyrtarët. Sa më fetarë të jenë këto grupime aq më të kënaqur janë nga aktivitetet turke në Ballkan. Pjesa më e madhe e Muslimanëve të Ballkan, të cilët e cilësojnë veten si pro-Europianë, presin veprimtari të koordinuar të Turqisë me Brukselin në rajon. Këta muslimanë nuk duan të shohin një konkurrencë mes Ankarasë dhe Brukselit në Ballkan.

Autoritetet turke vazhdimisht kanë shprehur mbështetjen e tyre për pranimin e Ballkanit Perëndimor në NATO dhe BE. Por duhet gjithashtu të nënvijëzohet se disa burokratë turq janë të shqetësuar për faktin se pasi vendet e Ballkanit të pranohen në BE, edhe vetë turqit që banojnë në Ballkan apo Muslimanët do të bëhen më të ftohtë. Për këtë arsye, disa qarqe i qëndrojnë mendimit se Ankaraja dhe Brukseli po përjetojnë një farë konflikti interesash në Ballkan. Është gjithashtu e qartë se shtetet e Ballkanit Perëndimor që kërkojnë anëtarësimin në BE kujdesen që të mos afrohen shumë me Turqinë nga dyshimi se kjo mund të mërzisë Brukselin.

Teoritë e konspiracionit tërheqin shumë vëmendje në vendet e Ballkanit. Nën këto teori, Brukseli do të ngrijë procesin e zgjerimit për disa kohë ndërsa Turqia dhe Rusia po kërkojnë angazhim më të madh në Ballkan. Për shkak të pyetjeve të ngritura mbi këtë teori konspiracioni, mediat në vendet e Ballkanit reaguan ashpër në dhjetor 2011 ndaj propozimit të Turqisë për të krijuar një asamble parlamentare të vendeve të Ballkanit. U argumentua se përmes këtij propozimi, Turqia dëshironte të tërhiqje Ballkanin Perëndimor larg BE-së.

Mungesë informacioni dhe diturie

Popujt në vendet e Ballkanit nuk kanë informacion të mjaftueshëm dhe atë të duhurin mbi Turqinë. Ka shumë pak studime akademike mbi Turqinë të kryer nga Ballkani Perëndimor. Me përjashtim të Greqisë dhe pjesërisht, Bullgarisë, vendet e tjera të Ballkanit nuk kanë qenë kurrë të interesuara për Turqinë; ata sapo kanë filluar ta studiojnë Turqinë. Mungesa e informacionit të duhur dhe korrekt mbi Turqinë ndihmon në analiza të pamjaftueshme mbi politikat e jashtme të Turqisë. Në këtë pikë duhet të theksojmë komentin e një gazetari të famshëm nga rajoni, i cili tha: “Aktivitetet dhe sjella e përfaqësuesve tuaj në këto vende do të përcaktojnë imazhin dhe perceptimin e Turqisë.”

Këto komente tregojnë që përfaqësuesit e Turqisë në Ballkan duhet të veprojnë me kujdes dhe të vëzhgojnë realitetet në vendet ku veprojnë. Disa premtime që politikanët dhe qytetarët e Turqisë kanë bërë gjatë vizitave të tyre në Ballkan mund t’i vendosin përfaqësuesit e Turqisë në një pozicion delikat. Kur ata që veprojnë në vendet e Ballkanit njësoj sikur të ishin përfaqësues të vërtetë të Turqisë pavarësisht autorizimeve zyrtare, bëjnë premtime jorealiste, Turqia mund të bëhet e njohur në rajon si një vend që nuk i respekton premtimet e veta.

Duke folur për mungesë njohurie dhe informimi, duhet të pyetet nëse Turqia është familjare me Ballkanin në një bazë individuale apo institucionale. Me përjashtim të pak publikimeve, mund të thuhet se media Turke është indiferente ndaj Ballkanit në tërësi. Në anën tjetër, është e vështirë të mbahet mend hera e fundit kur një stacion televiziv i Turqisë ka bërë një program mbi Ballkanin. Për më tepër, është e vështirë të kuptohet se pse kriticizmi ndaj Turqisë i ngritur në median e Ballkanit nuk është mbuluar siç duhet nga media e Turqisë.

Një kërkim bazë në databazën e Këshillit të Arsimit të Lartë (YÖK) tregon se ka një rënie të dukshme në numrin e disertacioneve master dhe të doktoraturës mbi Ballkanin në Turqi. Në periudhën mes viteve 2008 dhe 2010 ka një rënie prej 54 për qind në numrin e disertacioneve të shkruara në universitetet turke mbi Ballkanin. Në këtë drejtim, mund të dilet në konkluzionin se kjo ka ndodhur për shkak të qetësisë relative që ka përjetuar Ballkani gjatë viteve të fundit.

Kur vjen puna te institucionet shtetërore, një mik i imi që mban një pozicion të rëndësishëm brenda shtetit tha: “Në një vend si Sarajeva, pashë tre njerëz duke parë “Kurtlar Vadisi” (Lugina e Ujqve). Kuptova se ata në Ballkan na pëlqejnë ne.” Në anën tjetër, mund të shikosh surprizën në fytyrën e disa burokratëve turq kur panë një katedrale të stërmadhe të ndërtuar nga shqiptarët në Prishtinë, kryeqytetin e Kosovës dhe statujën e Bill Clinton pranë katedrales. Natyrisht nuk është e përshtatshme të nxjerrës konkluzione duke iu referuar figurave për të përcaktuar politikën e jashtme të Turqisë. Por duket se shumica në Turqi e mban ende mend Ballkanin njësoj siç e lanë në kohën e Otomanëve. Rajoni ka ndryshuar shumë. Për këtë arsye, eksperienca e një udhëtimi në qytetet e Ballkanit, përfshirë Sarajevën, mund të japë surpriza.

Pavarësisht kriticizmit, Turqia nuk ka pritshmëri nga marrëdhëniet e veta me vendet e Ballkanit përveç miqësisë. Gjithsesi, përgjatë 22 viteve të fundit, Turqia ka qenë e paaftë të shpjegojë siç duhet dhe të promovojë imazhin e vet në rajon. Tani është koha për të menduar se çfarë duhet të bëhet për të trajtuar këtë problem./SHQIP

*Erhan Türbedar është një analist i politikës së jashtme në Fondacionin e Kërkimit mbi Politikat Ekonomike të Turqisë, (TEPAV).

SHPËRNDAJE