Fëmijët e kryeministrit Sali Berisha, Argita dhe Shkëlzen kërkuan nëpërmjet avokatit të tyre që deputeti i Partisë Socialiste, Sajmir Tahiri t’i dëmshpërblejë në masën 8 milionë lekë të reja për dëmin moral që u ka bërë me deklaratat per korrupsion.

Sot është zhvilluar faza përmbyllëse e gjyqit të hapur mes fëmijëve të kryeministrit dhe deputetit Tahiri, ku avokati i Shkëlzen dhe Argita Berishës pohoi sot se klientët e tij i kërkuan gjykatës që të detyrojë Tahirin të paguajë shumën me 4 milionë lekë secilit nga pala e dëmtuar.

Nga ana tjetër ka qenë deputeti Tahiri që theksoi se ka prova ku mbështetet për thëniet e tij.

“Unë e kam thënë dhe vazhdoj ta them të njëjtën gjë pa u tërhequr aspak nga deklaratat e mia. Kam këtu një fakt, bazuar vetëm në deklaratat e pasurisë së fëmijëve të kryeministrit.
Shkëlzen Berisha në vitin 2006 ka pasur pasuri vetëm 9 milionë lekë të vjetra, në vitin 2011, 630 milonë lekë të vjetra.
Argita Berisha ka deklaruar pasuri në vitin 2006, 886 milionë lekë të vjetra, në vitin 2011, 1 miliard e 820 lekë të vjetra. Pra ky kapërcim fantastik pasurie i pajustifikuar vetëm se Argita punon në zyrë avokatie dhe Shkëlzeni si sekser tokash, mua nuk më bind”, u shpreh Tahiri sot për mediat.

Gjithashtu Tahiri kërkoi kohë për konkluzionet përfundimtare.

Madje në një seancë të mëparshme gjyqësore, Tahiri tha se rasti i tij është i paprecedent në gjithe historinë e gjyqësorit, pasi nuk u lejua asnjë thirrja e asnje dëshmitari.

“Në një rast paprecedent, në praktikën e gjykatave shqiptare dhe në shkelje të ligjit, gjyqtari mori vendim për të nxjerrë mediat jashtë dhe për të bërë gjyqin me dyer të mbyllura. Dhe vendimi i dytë akoma më absurd, për të hedhur poshtë listën e provave që i kërkova të administrohen gjatë shqyrtimit gjyqësor dhe në këtë seancë gjyqësore, në mënyrë për të më dhënë dhe mua mundësinë të provoj deklaratat e mia, se Argita dhe Shkëlzen Berisha janë të korruptuar bashkë me babain e tyre dhe akoma më absurde, nuk lejoi thirrjen e dëshmitarëve se nuk ka adresat”,- tha Tahiri pas seancës gjyqësore për gazetarët.

SHPËRNDAJE