Akuza të reja ndaj Timoshenkos

Hetuesit ukrainas njoftuan sot akuza të reja penale kundër ish-kryeministres Julia Timoshenko, e cila është ndërkaq objekt hetimesh për korrupsion dhe shpërdorim detyre.

Timoshenko akuzohet se ka blerë në mënyrë të paligjshme më shumë se 1000 automjete para zgjedhjeve presidenciale të 2010, ku ajo humbi.

Sipas zyrës së prokurorit shtetëror, automjetet e markës Opel do të përdoreshin nga shërbimet shëndetësore të shtetit për të ofruar ndihmë mjekësore, por faktikisht nuk ishin pajisur për këto qëllime.

Zyra e prokurorit shton se makinat e paguara me fonde shtetërore ishin blerë me çmim më të lartë se tregu.

Timoshenko, përmes faqes së saj elektronike i hodhi sot poshtë akuzat si të sajuara. Ajo tha se automjetet ishin blerë për të dërguar mjekë dhe infermjerë në zonat rurale të Ukrainës në përpjekje për të ulur ritmet e vdekshërisë. Timoshenko thotë se akuzat nuk ishin asgjë tjetër, përveçse “përndjekje politike”.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni