Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit në rrugën magjistrale Mitrovicë -Prishtinë, përkatësisht në fshatin Shupkovc të Mitrovicës, me ç’rast kanë humbur jetën dy persona, ngasësi i automjetit një 34 vjeçar dhe pasagjerja 27 vjeçare.

Në aksidentin tragjik që ndodhi rreth orës 4.30 të mëngjesit, sipas policisë ishte i përfshirë një automjet civil, tip “Ford”, ngjyrë e kuqe, pa targa të regjistrimit.

“Në bazë të hetimeve preliminare të rastit, aksidenti besohet të ketë qenë shkaktuar në momentin kur automjeti po lëvizte nga drejtimi i Vushtrrisë në drejtim të Mitrovicës, dhe me të arritur në fshatin Shupkovc, nën rrethana ende të pasqaruara, ngasësi i automjetit humb kontrollin mbi automjetin e tij, duke dalë nga rruga në anën majtë të lëvizjes së tij dhe më pas përplaset në muret e një dyqani”, thuhet në një njoftim të policisë.

Viktimat e këtij aksidenti, ngasësi M.Ibishi (1977), dhe pasagjerja L.Haradinaj (1984), të dy banorë të Mitrovicës, janë konfirmuar pa shenja jete në vend të ngjarjes.

Prokurori publik i Prokurorisë së Qarkut në Mitrovicë është informuar lidhur me rastin, dhe i njëjti ka autorizuar zhvillimin e detajuar të hetimeve mbi shkaktarin e aksidentit, ndërsa trupat e pajetë të viktimave të aksidentit, t’i dorëzohen familjarëve të tyre.

SHPËRNDAJE