“Dega e Gjuhës Shqipe që nga koha që e mbaj mend ka shkolluar disa breza, por kemi pasur njerëz të cilët na kanë ndihmuar shumë. Përveç themeluesit, akademik Idriz Ajetit, do të përmend edhe të ndjerin Anton Çettën, Hilmi Aganin e të tjerë”, ka thënë akademik Ismajli. Ai ka folur edhe për sfidat nëpër të cilat kanë kaluar brezat e Degës së Gjuhës Shqipe.

 

Prishtinë, 7 qershor

Akademik Rexhep Ismajli ka thënë se nuk mban mend të ketë marrë dhuratë më të mirë sesa ajo që mori të mërkurën. Përvjetori i 65-të i lindjes do të mbetet i pashlyer në kujtesën e tij. Aq më tepër kur bibliotekës së tij personale i është shtuar edhe një botim i jashtëzakonshëm. Shtatëdhjetë studime nga albanologë të njohur nga vendi e bota, të cilat i kushtohen veprës së tij, miq e kolegë i kanë përmbledhur në festchrift, botim festiv në nderim të një personaliteti. Vepra mbi një mijë faqesh është përuruar të mërkurën në amfiteatrin e Fakultetit të Filologjisë. Idriz Ajeti, Oliver Schmit, Anton Berisha, Victor Frichman, Besim Bokshi, Seit Mansaku, Kolec Topalli, Bardh Rugova, Linditë Rugova, Tomor Osmani, Sala Ahmetaj, janë disa nga studiuesit punimet e të cilëve janë përmbledhur në këtë botim të iniciuar nga Dega e Gjuhës Shqipe.

Ceremonia ishte paraparë që të ishte befasi për profesorin, sikur kolegu i tij nga Shqipëria, Kolec Topalli të mos e “prishte” atë me një mesazh telefonik. Megjithatë, për akademikun Rexhep Ismajli përurimi i festchriftit mbetet ceremonia më e veçantë në jetën e tij.

“Dua të them se kjo është befasia më e këndshme që kam përjetuar në jetën time”, ka thënë akademik Ismajli, pasi ka pranuar një buqetë lulesh nga kolegia e tij Sala Ahmetaj.

Gjatë gjithë kohës sa ka zgjatur ceremonia, akademik Ismajli ka dëgjuar lëvdata të pakursyera nga kolegët e Degës së Gjuhës Shqipe në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës. Por kur i ka ardhur radha të merrte fjalën, ai ua ka kthyer me të njëjtën mënyrë.

“Dega e Gjuhës Shqipe që nga koha që e mbaj mend ka shkolluar disa breza, por kemi pasur njerëz të cilët na kanë ndihmuar shumë. Përveç themeluesit, akademik Idriz Ajetit, do të përmend edhe të ndjerin Anton Çettën, Hilmi Aganin e të tjerë”, ka thënë akademik Ismajli. Ai ka folur edhe për sfidat nëpër të cilat kanë kaluar brezat e Degës së Gjuhës Shqipe.

“Me këtë rast po e theksoj faktin që në vitet ‘90 ne kemi bërë një punë që ka qenë jashtëzakonisht e vështirë, në shkolla fillore apo shtëpi private. Shumëkush ka pasur vështirësi por, megjithatë, kemi nxjerrë një gjeneratë që sot janë nga më të dalluarit në jetën kulturore”, ka thënë ai.

Në fund i është kthyer vetes, për ta përmbyllur fjalën me një vendim.

“Kam kujtuar se kam edhe disa plane për të punuar edhe pak, por tani po e shoh shumë seriozisht se është koha të pensionohem”, ka thënë albanologu i shquar.

Në emër të Akademisë së Shkencave e Arteve të Kosovës, për veprën e Ismajlit ka folur kryetari i këtij institucioni, Hivzi Islami.

“Të shkruash për jetën e Rexhep Ismajlit është e lehtë, sepse kam kaluar shumë kohë me të, por të shkruash për veprën e tij nuk është detyrë e lehtë”, ka thënë akademik Islami. Derisa ka përshëndetur iniciativën për të shënuar ditëlindjen e akademikut me një botim festiv, Islami ka thënë se akademik Rexhep Ismjali, si njeri dhe si intelektual ka tejkaluar kufijtë kombëtarë e ballkanikë.

“Presim vepra të tjera nga ai”, ka thënë Islami.

Dekani i Fakultetit të Filologjisë të Universitetit të Prishtinës, Osman Gashi, ka thënë se Dega e Gjuhës është thellësisht e lidhur me emrin e Rexhep Ismajlit.

“Kur flitet për Degën e Gjuhës në Universitetin e Prishtinës, nuk mund të mos flitet për Rexhep Ismajlin, intelektualin që për dyzet vjet nuk heshti kurrë”, ka thënë Gashi, derisa është ndalur të komentojë botimin festiv.

“Ky botim për ditëlindjen e 65-të nuk është vetëm akt dashamirësie nga kolegët e tij, por edhe dëshmi për gjeneratat e tjera të punës që ka bërë ai”, ka shtuar Gashi.

Bardh Rugova, shef i Degës së Gjuhës Shqipe, ka thënë se kolegët e Ismajlit janë mbledhur për të nderuar një vlerë të UP-së.

“Kjo që kemi përpara është një përmbledhje punimesh për nder të profesorit Rexhep Ismajli me rastin e 65-vjetorit të lindjes, të cilën e kemi bërë bashkë me kolegët e tjerë të departamentit”, ka thënë Rugova. Ai ka folur edhe për përmbajtjen e botimit festiv që është përuruar të mërkurën.

“Janë 69 punime të disa prej emrave të mëdhenj që kanë shkruar për veprën e Rexhep Ismajlit. Ajo që është kërkuar ka qenë që të shkruajnë nga cilado prej fushave me të cilat është marrë profesori, që është një spektër mjaft i gjerë”, ka thënë ai.

Bajram Berisha, prorektor i Universitetit të Prishtinës, po ashtu ka përshëndetur iniciativën për të nderuar Ismajlin.

“Është çmim i jashtëzakonshëm për njerëz të jashtëzakonshëm, veçse shumë rrallë hasim që një i tillë t’i jepet ndonjë personi me moshën e Rexhepit. Zakonisht u jepet personave që janë në moshë shumë të shtyrë”, ka thënë Berisha.

Akademik Rexhep Ismajli u lind në Preshevë më 1947. Studimet për gjuhë dhe letërsi i mbaroi në Prishtinë më 1971. Në vitet 1971-1973 specializoi për gjuhësi në “Institut de linguistique générale et appliqué ‘René Descartes’ (Sorbonne), Paris, nën drejtimin e André Martinet. Më vonë (1977/ 78) vazhdoi specializimin në Institut für Allgemeine und Vergleichende Sprachëissenschaft të Universitetit të Bochum-it. Doktoratën në shkencat filologjike, me tezën “Gjuha shqipe e Kuvendit të Arbënit (1706) – hulumtime grafiko-fonologjike” e mbrojti në Universitetin e Prishtinës, më 1982. Më 1972 filloi punën si asistent, pastaj ligjërues, docent, profesor inordinar dhe profesor ordinar për lëndët gjuhësi e përgjithshme dhe histori e gjuhës shqipe në Degën e Gjuhës Shqipe të Fakultetit Filozofik/Filologjik të Universitetit të Prishtinës. Gjatë kësaj kohe i ka drejtuar studimet e gjuhësisë së përgjithshme dhe të historisë së gjuhës shqipe në studimet e shkallës III në Degën e gjuhësisë në Fakultetin Filologjik të Prishtinës. Në vitet 1990-1993 ka mbajtur mësime për gjuhën shqipe dhe gjuhësinë shqiptare në Universitetin e Lubjanës. Më 1997, ishte për një semestër profesor i ftuar (Gastprofessor) në Universitetin Ludwig-Maximilian të Münchenit për të mbajtur mësime për albanologji. Pastaj vijoi mësimdhënien për albanologji në München deri në vitin 2000. Në vitin 2000 u kthye në Prishtinë të vazhdonte mësimdhënien në Universitet. Më 1993 u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Tre vjet më vonë u zgjodh anëtar i rregullt. Në vitet 1996-1999 ka qenë sekretar i Seksionit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, ndërsa në vitin 2000 u zgjodh sekretar i përgjithshëm i kësaj akademie. Në vitin 2002 u zgjodh anëtar i Akademisë Evropiane të Shkencave dhe të Arteve me seli në Vjenë – Salzburg. Si përfaqësues i ASHAK-së është anëtar i Interacademic Human Rights Network, New York. Prej vitit 2002 deri më 2008 ka qenë Kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.(Koha.Net))

SHPËRNDAJE