Organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, Amnesty International (AI), apelon deri te qeveria e Maqedonisë që të ndalojë tentativat për të heshtur mediat duke shkelur kështu lirinë e shprehjes si një e drejtë fundamentale.

Reagimi vjen pasi javën e kaluar u shuan tri gazetat, Shpic, Vreme dhe Koha e Re, kurse fatin e njëjtë pritet ta ndajë edhe televizioni A1.

Sipas Amnesty International, këto mbyllje të gazetave, si rezultat i kërkesave dhe kushteve për pagesën e tatimeve, janë politikisht të motivuara.

“Ky nuk është një incident i izoluar, por ‘larje hesapesh’ me mediet të cilat kishin qasje kritike ndaj Qeverisë. Kjo larje hesapesh ka zgjatur pothuajse një vit. Mbyllja e gazetave më shumë i ngjanë një sulmi ndaj lirisë së shprehjes”, vlerëson AI.

Nikolla Dakvort, drejtor i Amnesty International për Evropë dhe Azi Qendrore thotë se, pritet që shumë shpejtë të mbyllet edhe televizioni A1.

“ Pohimet e autoriteteve janë se mediet e drejtuara nga Velija Ramkovski kanë fshehur rreth 10 milion euro tatime dhe se nëse shumën e njëjtë nuk e paguajnë do të mbyllen. Gjithashtu është hedhur poshtë kërkesa që parat apo borxhi të paguhet me këste. Ekziston shqetësimi se është e mundur që edhe televizioni A1 të mbyllet”, theksoi Dakvort.

Lidhur me këtë rast ka reaguar edhe Përfaqësuesja e OSBE-së për lirinë e medieve, Dunja Mijatoviq. Ajo ka shprehur shqetësime në emër të organizatës lidhur me gjendjen e tre medieve që u mbyllën për shkak të mospagesës së tatimeve si dhe për shkak të largimeve të të punësuarve nga gazeta “Utrinski”.

Ajo bëri thirrje që vendi të zbatojë parimet e drejtësisë në zgjidhjen e këtyre rasteve. “Gazetat Vreme, Shpic, dhe Koha e Re nuk dolën nga shtypi. Ky është një zhvillim shumë shqetësues, që praktikisht brenda natës e eliminon pluralizmin dhe qasjet opozitare të shtypit. Përveç kësaj, edhe një media si Televizioni A1, që përballet me akuzë për tatime, mund të jetë i detyruar për të ndërperë punën gjatë javëve të ardhshme”, ka theksuar Mijatoviq.

Sipas saj, derisa medieve duhet patjetër të ndjekin rregullat sikur edhe bizneset e tjera, në këtë rast shihet se mediet janë caqe të pushtetit.

SHPËRNDAJE