Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës (AGPK) me shqetësim ka marrë lajmin se Kuvendi i Kosovës ka vendosur që të fuqizojë rregulloren për qasjen e medieve në Kuvend.

AGPK me kohë ka kundërshtuar këtë rregullore, e cila pamundëson punën e gazetarëve që mbulojnë aktivitetet e Legjislativit dhe, veç tjerash, e bën prezencën e gazetarëve në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës të panevojshme.

Në të gjitha takimet që ka pasur me përfaqësues të Kuvendit të Kosovës dhe me institucione tjera vendëse e ndërkombëtare, AGPK ka shprehur kundërshtimin për këtë rregullore. Përmbajtja e këtij dokumenti është hartuar pa i marrë parasysh vullnetin e gazetarëve dhe kontributet e tyre në disa punëtori, gjatë hartimit të rregullores.

AGPK iu bën thirrje kryetarit të Kuvendit, z. Jakup Krasniqi dhe Kryesisë së Kuvendit të Kosovës që të shfuqizojnë rregulloren në fuqi dhe e njëjta të shqyrtohet.

Gazetarët nuk pajtohen me një rregullore të tillë dhe, po që se ajo nuk shfuqizohet, atëherë AGPK paralajmëron se do të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme në kundërshtim të zbatimit të saj, qoftë edhe bojkotimi i aktiviteteve të Kuvendit.

Veprimet e tilla, kur rregullore te caktuara fuqizohen pa zhurmë dhe duke e ditur qëndrimin e gazetarëve karshi tyre, janë të papranueshme dhe tregojnë për një mosgatishmëri të përfaqësuesve të institucioneve që të bashkëpunojnë me media.

Pengimi i punës së gazetarëve, siç bën kjo rregullore, nuk i ndihmon interesit të publikut.

 

UGK reagon ndaj veprimit të Kuvendit

Unioni i Gazetarëve të Kosovës (UGK) ka shprehur shqetësimin në lidhje me siç thuhet ngushtimin e hapësirës së punës së gazetarëve që përcjellin aktivitetet e Kuvendit të Kosovës, pas hyrjes në fuqi të një rregullore të re të Kuvendit.

“UGK, konsideron se ky veprim i Kuvendit të Kosovës është një ndërhyrje e drejtpërdrejtë në punën e përditshme të gazetarëve që përcjellin zhvillimet e legjislativit”, thuhet në reagimin e UGK-së.

Por, Kuvendi i Kosovës ka dalë me një sqarim shtesë në lidhje me zbatimin e rregullores për qasjen e medieve në Kuvend.

“Rregullorja është hartuar në bashkëpunim me OSBE-në dhe NDI-në, si dhe me pjesëmarrjen aktive edhe të gazetarëve, të xhiruesve e të fotoreporterëve, të akredituar në Kuvend”, thuhet në njoftimin për media të lëshuar nga Zyra për Media dhe Marrëdhënie me Publikun e Kuvendit.

Ndërsa UGK, kërkon nga Kuvendi i Kosovës “që menjëherë të shfuqizojë këtë rregullore, e cila sanksionon në mënyrë arbitrare qasjen e gazetarëve në një institucion të rëndësishëm për publikun”, Zyra për Media e Kuvendit ka cituar kryeparlamentarin Jakup Krasniqi të ketë hedhur poshtë një gjë të tillë.

“Edhe në Kuvendin tonë, sikurse në çdo Kuvend, mediet e kanë hapësirën e tyre të mjaftueshme për të kryer detyrat e tyre profesionale”, u ka pohuar Krasniqi deputetëve, duke marrë si shembull funksionimin e medieve në parlamentet e shumë vendeve që kishte vizituar.

SHPËRNDAJE