Adelina Ismajli dhe Lady Gaga, bashkë në një CD internacionale

 

Këngëtarja më e suksesshme kosovare, Adelina Ismajli ka vendosur që të kurorëzojë sukseset e saja. Siç u vlerësua në jo pak media shqiptare, ajo bëri hapin më gjigant të karrierës së saj gjatë qëndrimit në Europë, më saktësisht në Zvicër, Francë e Gjermani, ku është duke realizuar edhe “ëndrrën shqiptare”, duke u bërë e para këngëtare shqiptare e muzikës moderne në skenën europiane. Dhe po ia del mbanë me shumë sukses. Koncerte që asnjëherë nuk ndalen prej tri vitesh. Përveçse në diskotekat shqiptare, ajo arriti të jetë e para që performon edhe në diskotekat zvicerane ku ftohen emra me famë botërore si: Jay Z, Ciara, 50 Cent etj. Dhe kjo pasi kënga “Tribalb”, e remixuar nga Dj. i njohur zviceran Mr.Pink, është shpallur në top 5 hitet e vitit 2011 fillimisht në Zvicër, pastaj në vende tjera të Europës, si Itali, Gjermani, Francë, madje dhe në Suedi e Rusi. Pas koncerteve promovuese të hitit “Tribalb Rmx”, Adelinën e pret një sfidë e re.

Përsëritet për të tretën herë turneu në Amerikë

Këngëtarja pritet të udhëtojë drejt Shteteve të Bashkuara për një tjetër tur koncertesh, pas interesimit të fansave që nuk hezitojnë të shprehin publikisht herë lutjet e herë kritikat pse Adelina nuk përsërit turneun. Këtë radhë ajo do të jetë e shoqëruar nga këngëtari Sabri Fejzullahu. Për shkak të suksesit të madh që patën koncertet e saj atje, nga të afërm të Adelinës mësojmë që këtë herë këngëtarja do jetë nën ombrellën e një organizimi tjetër, ndryshe nga herët e kaluara. Mësohet se ky ndryshim ka ardhur si pasojë e zhgënjimit të Adelinës dhe menaxherit të saj nga organizimi “diskreditues” në të kaluarën, siç thuhet. Ne kontaktuam zëdhënësen zyrtare të Adelina Ismajlit, e cila na tha: “Organizimi i turneut të fundit ishte nën çdo nivel të mundur nga ana teknike dhe organizative, dhe në këtë mënyrë u krijua një konfuzion te publiku mes një Adeline që e shohin duke performuar në Europë e Ballkan dhe asaj që u krijua atje. Prandaj, këtë herë çdo gjë, që nga efektet skenike dhe sallat e deri te mikrofoni dhe valltarët do të jetë e definuar me kontratë speciale.”

Publikon këngë përkrah Lady Gaga, Katy Perry etj.

Sukses pas suksesi, objektivat e Adelinës po bëhen realitet. Siç treguam më lart, remixi i saj, përveç se është zgjedhur si hit në diskoteka, kënga është përzgjedhur dhe hedhur në shitje në pesë kompilacione botërore me hitet më të mëdhaja botërore (këngë të remixuara house-electro), përfshirë këtu këngët e shumë yjeve të njohura si Lady Gaga, Katy Perry, madje dhe grupet legjendare botërore si Nirvana e Red Hot Chili Peppers, dhe shumë Dj e këngëtarë të dëshmuar të skenës nga mbarë bota. Vlen të përmendet kompilacioni “ARTKISS” që pa dritën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku nga vetëm dhjetë këngë, njëra është e Adelinës, tjetra këndohet nga Lady Gaga. Ky është një tjetër hap drejt përparimit në tregun internacional, pas performimit në diskot zvicerane. E, teksa pritet që këngëtarja të përfundojë projektet, të cilat prej një kohe të shkurtër i ka filluar në Francë dhe si duket po ia del mbanë, zëdhënësja e saj prononcohet: “Adelina kishte paralajmëruar publikimin e projekteve që do fillonte në 2011, dhe derisa po pritet lançimi i projektit në Francë, shumë shpejt pritet të komercializohet dhe singëli i parë nga albumi i ardhshëm i Adelinës në Europë. “Neve na mbetet të kënaqemi me suksesin e një ylli shqiptar në Europë, që arriti të dëgjohet krah për krah me Lady Gaga duke debutuar me një këngë tipike shqipe. Dhe duke performuar me veshjet ekstravagante e këngët me tema shokuese, shumë kohë para Lady Gaga”.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni