Seanca parlamentare, e para për këtë vit, vazhdon të jetë mjaft e nxehtë, ndërsa kryeministri Berisha vazhdon të jetë në këmbë përballë dyndjes së deputetëve socialistë poshtë foltores së tij, sa herë që ai nis të flasë.

Por kreu i qeverisë i ka përballuar brohoritë e tyre duke iu pohuar se nuk i impresionon fare reagimi i tyre, pasi i njeh mirë se cilët janë.

Ndërsa është duke u treguar se cili është në të vërtetë kryetari i tyre, kryeministri Berisha po u bën thirrje deputetëve të opozitës që të distancohen prej tij.

Por debati i provokuar prej tyre, po bën që seanca të vazhdojë të jetë e tensionuar dhe të ndërpritet prej disa herësh.

Madje deputetët socialistë kanë guxuar të shtyjnë edhe punonjësit e Gardës së Kuvendit, duke bërë që kryetarja e Kuvendit të detyrohet ta rimbyllë sërish atë, për të vijuar me votimet.

Berisha: Videoja, akt puçist i bastardit të Bllokut

“Një bandë krimi, guxoi përmes një akti puçist të montojë një video kundër kryeministrit të vendit.

Imagjinoni ju se çfarë mund të bëjë ky bastard i Bllokut, kur i lejon vetes të montojë video për kreun e qeverisë dhe çfarë mund të bëjë kjo SH.P.K për interesa krejt pasurore.

Thjesht do kthenin regjimin e etërve të tyre në formën më të shëmtuar”, tha në fjalën e re të mbajtur në seancën plenare, e cila sapo ka rinisur, kryeministri Sali Berisha.

Sërish ai i ka cilësuar deputetët e opozitës si përfaqësues të drogës, të orgjive, të rrënuar dhe të mjeruar.

Dhe sërish deputetët socialistë kanë ndenjur poshtë foltores së tij, gati për të tensionuar me qëllim situatën, por pa ia arritur dot.

Ndërkaq, kryeparlamentarja Topalli ka ndërprerë për të disatën herë seancën plenare.

Kryeministri u thotë socialistëve: Zhvishuni lakuriq si kryetari!

“Sa më shumë që bërtisni, aq më lakuriq dilni, më keq se kryetari juaj”.

Me këto fjalë iu drejtua kryeministri Berisha deputetëve socialistë, të cilët tentuan t’i bëjnë bllokadë para foltores së tij në Kuvend duke i ndërprerë fjalën.

“Unë u respektoj ju, por jo kryetarin tuaj që zhvishet lakuriq. Unë u respektoj ju, por jo partinë e lakuriqëve”, tha Berisha.

Duke shtuar më pas se deputetët socialistë janë vetëm disa mjeranë të shkretë që po përdoren nga kryetari i tyre.

“Nuk kanë lindur akoma ata që të ma ndërpresin fjalën mua, hiqeni nga mendja, edhe klanet e drogës t’i sillni këtu, fjala e Sali Berishës nuk ndërpritet kurrë”, tha ai.

Duke vijuar se këta janë larvat e vërteta të Bllokut, “sa më shumë bërtisni, aq më lakuriq dilni”.

Dhe në fund, duke u lënë porosi socialistëve të shkojnë te Partia dhe të zhvishen lakuriq me kryetarin e tyre, duke e shpallur partinë e lakuriqëve.

Berisha: Këlyshët e Bllokut, lehin po nuk kafshojnë

Me këtë shprehje kryeministri Berisha replikoi tani në seancë plenare me kreun e grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, pas akuzave të këtij të fundit ndaj mazhorancës.

Sipas Berishës, Shqipëria po ecën e vendosur drejt standardeve në çdo fushë dhe kjo e tmerron kreun socialist.

“Kryetarin tuaj e tmerron fakti se sot numërohen 140 mijë studentë”, u tha ai deputetëve të opozitës.

Duke iu drejtuar më pas deputeteve femra socialiste se ato nuk kanë përse të bëhen xheloze se Shqipëria u shpall “Miss Bota” sa i përket turizmit.

Kurse në lidhje me videon e publikuar Meta-Prifti, Berisha përmendi akuzën ndaj Ramës se “ka akuzuar Kristaq Ramën si baba të djalit të tij, si njeriu që ka paditur në gjykatë të atin”.

E pikërisht, në këto momente lëshimi akuzash të tilla, situata duket se është nxehur shumë në seancë plenare, saqë kryeparlamentarja Jozefina Topalli është detyruar ta ndërpresë atë për të dytën herë gjatë kësaj mbrëmje.

Meta opozitës: Jeni mësuar të bëni gjyqe politike

“Më vjen keq për të gjithë ju që jeni mësuar nga koha e regjimit të kaluar që t’i bëni njerëzit fajtorë pa fakte dhe të bëni gjyqe politike, por nuk e bëni dot më këtë me asnjë qytetar të këtij vendi.

Unë nuk merrem me shpifjet tuaja por vetëm me ligjin dhe drejtësinë, e të jeni të sigurt se ky proces gjyqësor që ka nisur, është i pashembullt”.

Kështu ka deklaruar gjatë seancës plenare, ish-zv/kryeministri Ilir Meta mbi videon e publikuar ndaj tij, duke thënë se opozitës nuk i ka hije që merr në mbrojtje një njeri që e ka akuzuar për korrupsion, duke iu referuar Dritan Priftit.

Sipas Metës, ka gjithçka të faktuar dhe video është mashtrim, një montazh, gjë që do ta konfirmojë hetimi i organit të akuzës.

“Kam besim te Ilir Meta, tek e vërteta dhe tek drejtësia. Por problemi juaj i vërtetë nuk është video. Ju e keni hallin vetëm te 8 Maji”, tha më pas ai.

Duke vijuar me nota mjaft të ashpra ndaj deputetëve të opozitës, ai tha se dita e 9 Majit do jetë jo vetëm dita e fitores ndaj nazizmit, por edhe ndaj spiunëve.

Gramoz Ruçi: Mazhoranca s’ka reflektuar për zgjidhjen e krizës

Qytetarët tani janë më të varfër se kurrë, bizneset po falimentojnë me radhë, ndërsa media po kërcënohet në mes të ditës dhe shteti ligjor është i montuar etj.

Këto janë akuzat që kreu i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, hodhi gjatë seancës së parë plenare të këtij viti, duke shtuar se për shumë mangësi të tilla, Bashkimi Evropian na ka lënë pas dyerve.

“Sot që u hap ky sesion i ri parlamentar jo vetëm që ju nuk keni reflektuar për krizën politike, por vazhdoni me të njëjtat metoda”, iu drejtua Ruçi kryeministrit Berisha në seancë.

Duke shtuar se mazhoranca nuk pranon hetimin parlamentar dhe transparencën e zgjedhjeve të 28 Qershorit.

Sa i përket parlamentarizmit, ai tha se nuk ka ndryshuar asgjë dhe se në parlamentin shqiptar, vidhet vota e deputetëve.

“Ushtrohet presion ndaj deputetëve të opozitës në parlament. Në thelb, ju nuk e doni opozitën”, tha Ruçi ndër të tjera.

E duke iu drejtuar personalisht kryeministrit Berisha, kreu i deputetëve socialistë i drejtoi gishtin për moszgjidhjen e krizës politike dhe moskryerjen e transparencës së zgjedhjeve.

“Juve nuk ju interesojnë zgjedhjet e lira dhe jeni gati të sakrifikoni Shqipërinë për të mbajtur pushtetin tuaj të vjedhur”, u shpreh ai më pas.

SHPËRNDAJE