Abetarja që (nuk) na bashkoi në Luginën e Preshevës

Besoj se qeveritë e dy vendeve në rastin konkret Shqipëri dhe Kosovë nëse nuk arritën që t’i përfshijnë shqiptarët nga Maqedonia, Mali i Zi dhe nga Lugina e Preshevës në këtë projekt kanë mundur që të paktën t’i ftojnë që bashkë ta festojnë këtë abetare.

 

Në qytetin historik shqiptar në Prizren ditë më parë me shumë pompozitet u promovua abetarja Kosovë-Shqipëri një projekt shumë interesant dhe që iu dha shumë rëndësi mediale duke na bombarduar me këtë pamje vërtetë të bukur.

 

Gjithçka do të ishte në rregull sikur në këtë foto të bukur në 100-vjetorin e krijimit të shtetit shqiptar gjithçka do të shkonte si duhej, por nuk shkoi kështu fatkeqësisht edhe në këtë ditë festë të shkronjave shqipe, të abetares, dinjitetit tonë kombëtar.

 

Duke i uruar vëllezërit tanë nga Kosova dhe Shqipëria me rastin e inaugurimit të kësaj abetareje dhe duke e uruar edhe ekipin e profesionistëve me profesorin shumë të nderuar Shezai Rrokaj që e përpiluan dhe e përgatitën për botim këtë abetare dëshiroj të ndaj disa shqetësime që i ndiej nga këndvështrimi i një shqiptari i cili e do kombin, atdheun, alfabetin dhe abetaren në këtë rast të kësaj feste kombëtare.

Është për çdo kritikë pozicionimi i politikbërësve shqiptarë në Republikën e Maqedonisë mendoj për kampin politik shqiptar posaçërisht për atë në qeveri BDI, që festën e Prizrenit na e lanë të gjymtë, sepse mospjesëmarrja edhe e shqiptarëve nga Maqedonia në këtë festë ishte një handikep i madh i kësaj abetareje në këtë përvjetor. Dikush në Shkup duhet të mbajë përgjegjësi për atë se pse edhe shqiptarët nga Republika e Maqedonisë nuk janë pjesë e këtij projekti të madh e të rëndësishëm kombëtar, do duhej që më e vogla që mund të bëjnë të na japin një sqarim se pse ne ndihemi si jetimë në këtë festë. Dhe mendoj se është koha që edhe partia në pushtet BDI paralajmëroi se do merret me kujdes me kuadrot e veta të shohë me shumë edukatë se pse shqiptarët e Maqedonisë nuk mundën t’i gëzohen botimit të abetares së re të promovuar në Prizren.

 

Besoj do e kuptojë me mirësjellje këtë shqetësim të një intelektuali shqiptarët drejtuesit e BDI-së. Ndërsa zv.ministri Safet Neziri do të duhej të jap llogari në parti, por jo vetëm kaq se pse edhe pse i ftuar që t’i bashkëngjitet grupit punues me ekspertë nga Maqedonia nuk e bëri një veprim që edhe shqiptarët e Maqedonisë të jenë pjesë e këtij projekti madhor kombëtar. Për këtë do i gjykojë historia ata që na lënë jashtë proceseve brenda shqiptare, në rastin konkret fëmijët tanë mbeten jashtë projektit abetare unike.

Vërtetë fotografia ishte shumë e bukur në Prizren posaçërisht fjalimet e kryeministrit Sali Berisha dhe Hashim Thaçi ishin shumë emocionuese por kësaj fotografie i mungonte një detaj shumë i rëndësishëm. Detaji që i mungonte kësaj fotografie festive, ishte ajo se fitova përshtypjen se po promovohet një abetare lokale e jo gjithëkombëtare në 100-vjetorin e krijimit të shtetit shqiptar. Besoj se qeveritë e dy vendeve në rastin konkret Shqipëri dhe Kosovë nëse nuk arritën që t’i përfshijnë shqiptarët nga Maqedonia, Mali i Zi dhe nga Lugina e Preshevës në këtë projekt kanë mundur që të paktën t’i ftojnë që bashkë ta festojnë këtë abetare. Dhe është e pafalshme mënyra se si festuan ishte një injorim institucional që shqiptarët në vendbanimet që nuk janë sot Shqipëri e Kosovë mbeten vetëm të gëzohen duke u bërë nga një like fotove që na i postuan liderët tanë kombëtarë.

Sikur sot të ishin patriotët shqiptarë gjallë ata që e përpiluan abetaren në Manastir të Republikës së Maqedonisë së sotme do të ishin befasuar kur do shihnin se në këtë festë mungojnë personalitete nga vendbanimet e tjera shqiptare. Dhe vërtet kemi pse të jemi të brengosur, sepse protokolli i shtetit shqiptar dhe atij shqiptar të Kosovës do kishte mundur të ftonte ndonjë shqiptar, nëse jo zyrtar shqiptar kanë mundur ndonjë intelektual shqiptar, sepse edhe ne kemi dhënë kontributin tonë për përpilimin e kësaj abetareje dhe mund të themi me shumë krenari se patëm rastin e madh historik që pikërisht Manastiri të jetë vendi ku u bë zyrtare kjo në prag të krijimit të shtetit shqiptar. Besoj se këtë që po e them zëshëm ta dëgjojnë ndërgjegjet e fjetura në Tiranë dhe Prishtinë dhe ta kuptojnë seriozitetin e kësaj çështjeje, sepse vetëm ata nuk kanë dhënë kontribut në krijimin e shtetit shqiptar, në përpilimin e kësaj abetareje dhe do ishte mirë të paktën të na ftojnë edhe ne të mund të gëzohemi, sepse e meritojmë kemi sakrifikuar shumë. Nëse kësi gabimesh kanë ndodhur të paktën në vazhdë të festimeve të këtij viti protokolli i shtetit të jetë i kujdesshëm se edhe intelektualët shqiptarë të paktën meritojnë të jenë të anashkaluar në këto festa gjithëkombëtare si do të thoshte Sali Berisha dhe Hashim Thaçi.

Mentaliteti i sotëm i politikës shqiptare duhet të lirohet nga kjo mënyrë e sjelljes, sepse na bën të ndihemi keq, na bën të ndihemi të braktisur. Por më duhet të them me zë të lartë se një gjë është e vërtetë, pavarësisht nga këto gafa politike ne do të vazhdojmë të festojmë me shumë emocion krijimin e shtetit shqiptar, përpilimin e abetares dhe do të jemi gjithmonë në nivel të përgjegjësive duke e mbështetur si Kosovën ashtu edhe Shqipërinë që të prosperojnë, sepse na duhen të tilla. Ajo që më mbetet në fund ta them është se mirë do të ishte bashkërisht që Muzeun e alfabetit në Manastir ta bëjmë një vend të pelegrinazhit dhe t’i japim formën e duhur këtij institucioni që ka mbetur i braktisur, sepse kjo do ishte gjëja më e duhur që do duhej të bëjmë për ata që e krijuan këtë abetare në Manastir, pasi me aq pompozitet festojmë ndërsa Muzeu i Alfabetit në Manastir mbetet në djerrina ky është obligim i përbashkët kombëtar posaçërisht i zyrtarëve të Tiranës dhe të zyrtarëve të Prishtinës.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni