Pas Akademisë së Shkencës dhe Arteve të Kosovës, edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ka cilësuar si të dështuar regjistrimin e popullsisë në Kosovë dhe ka kërkuar përsëritjen e këtij procesi, pasi që sipas saj në regjistrimin në muajin prill nuk janë përfshirë të gjithë qytetarët e Kosovës.

Anëtarja e Kryesisë së AAK-së, Melihate Tërmkolli, në një konferencë për media të shtunën ka thënë se procesi i regjistrimit të popullsisë do të ketë pasoja ekonomike për shkak të zvogëlimit të forcës reale të numrit të banorëve, i cili del të jetë më i vogël se sa ishte pritur.

Sipas saj këtë proces e kanë shoqëruar shumë parregullsi, si mos zbatimi i Ligjit për regjistrim të popullsisë dhe mos regjistrimi i qytetarëve serbë në veri.

Si problem tjetër Tërmkolli e ka paraqitur edhe mos regjistrimin e plotë të pjesës më të madhe të qytetarëve të Kosovës madje edhe të diasporës, për çka ka kërkuar përsëritjen e procesit të regjistrimit të popullsisë.

Procesin e regjistrimit të popullsisë e ka quajtur të dështuar edhe Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, e cila ka kërkuar përsëritjen e këtij procesi.

Enti i Statistikave të Kosovës kohë më parë ka publikuar rezultatet preliminare të procesit të regjistrimit të popullsisë, sipas të cilave del se në vendit tonë jetojnë rreth 1.8 milionë banorë, kurse sipas regjistrimit të popullsisë në vitin 1981, Kosova kishte rreth 1.6 milionë banorë që del se për 30 vjet vendi ynë ka vetëm rreth 200 mijë banorë më shumë.

Në procesin e regjistrimit nuk kanë marrë pjesë pjesëtarët e komunitetit serb në veri të Kosovës.

SHPËRNDAJE