Duke parë të gjitha këto, subjektet politika shqiptare të Luginës së Preshevës për këto zgjedhje (6 maj 2012) duhet të jenë edhe më shumë vigjilent e të koncentrohen kryesisht në ato fusha e segmente të cilat ndihmojnë dhe e shtyjnë ndryshimin radikal të pozitës së shqiptarëve në këto anë.

 

Albinot MALOKU, politolog

 

Tani më subjektet politike shqiptare të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës veç kanë nisur fushatat e tyre për zgjedhjet e 6 majit, që do të mbahen në Republikën e Serbisë. Kjo e fundit ka paraparë mbajtjen e tri palë zgjedhjeve, ato lokale, parlamentare dhe presidenciale pas dorëheqjes së ish- presidentit Boris Tadiq.

 

Në këto zgjedhje, shqiptarët e Preshevës, Bujanocit e Medvegjës do  kenë edhe disa subjekte politike të reja, kështu që alternativa e përzgjedhjes do të jetë më e madhe. Shikuar nga optika e numrit të popullatës shqiptare të këtyre anëve, konkludojmë se me një numër prej 9 subjekteve politike përfaqësuese të interesave të shqiptarëve atje, është shumë i madh. Kjo nga fakti i separimit të numrit të votave në masën e panevojshme. Efekti i mos copëtimit dhe bashkimit të klasës politike shqiptare atje, do të kishte shumë më shumë të mira se sa ndarja e panevojshme e tyre në grupime të vogla politike. Në dy komuna vetëqeverisjen lokale deri më tani e drejtojnë shqiptarët, kurse në Medvegjë jo. Në nivelin qendrorë, shqiptarët i përfaqësonte edhe një deputet në Kuvendin popullor të Republikës së Serbisë.  Për veç kësaj shqiptarët janë të organizuar edhe në një Këshill Nacional me seli në Bujanoc…

 

Rikujtojmë se komuna e Preshevës në Jug, e Bujanocit në mes dhe e Medvegjës në Veri paraqesin territorin e njohur si Lugina së Preshevës, saktësisht Kosova Lindore, të cilat momentalisht janë të ngjitura me Republikën e Serbisë. Lugina e Preshevës ka një hapësirë prej 1250 km², në të cilën deri në vitet e ’90- ta jetonin mbi 100 000 banorë shqiptar. Diskriminimi shtetërorë serb ndaj popullatës shqiptare në këto anë, ka rezultuar që për më se dy dekada ky rajon të zbrazet me një shpejtësi të madhe. Aktualisht në Luginën e Preshevës jetojnë diku rreth 70 000 banorë, ku komuna e Medvegjës numëron më pak se 400 banorë autokton shqiptarë. Në regjistrimin e fundit të popullsisë në Serbi, shqiptarët e këtyre anëve kanë bojkotuar pjesëmarrjen në regjistrim.

 

Qytetarët shqiptar të Luginës së Preshevës nuk janë ende të barabartë me qytetarët e tjerë në Republikën e Serbisë. Në Luginë të Preshevës kërcënohet siguria dhe shkelen të drejtat individuale e kolektive. Arrestimet spektakulare të shqiptarëve të bëra me 26 dhjetor të vitit 2008 nga forcat e Ministrisë së Brendshme të Serbisë, vërtetuan qëndrimin që Serbia, përmes trashëgimtarit të Millosheviqit, ministrit aktual të policisë, Ivica Daçiq ka ndryshuar qasjen ndaj shqiptarëve. Prokuroria për krime të luftës akuzon Agush Memishin, Faton Hajdarin, Ahmet Hasanin, Nazif Hasanin, Samet Hajdarin, Ferat Hajdarin, Kamber Sahitin, Selimon Sadikun dhe Burim Fazliun për gjoja krime të luftës kundër civilëve serb dhe të tjerë në rajonin e Gjilanit pas hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë. Këtë vit me insistimin dhe kërkesën e shtetit serb ekstradohet nga Zvicra edhe Shemsi Nuhiu, ngjajshëm i akuzuar për “krime lufte”.

 

Shqiptarët janë i vetmi komunitet në Serbi që nuk kanë të drejtë të përdorin simbolet e tyre kombëtare, për të cilat kërkesa spektri politik shqiptar atje, me 28 nëntor të vitit të kaluar ka organizuar protesta në Preshevë e Bujanoc, me kërkesën e lejimit të përdorimit të simboleve kombëtare. Ekonomikisht rajoni i Luginës së Preshevës është më i pa zhvilluari në Republikën e Serbisë,  ku për këtë,  rajoni dita ditës po zbrazet edhe më shumë.

 

Duke parë të gjitha këto, subjektet politika shqiptare të Luginës së Preshevës për këto zgjedhje duhet të jenë edhe më shumë vigjilent e të koncentrohen kryesisht në ato fusha e segmente të cilat ndihmojnë dhe e shtyjnë ndryshimin radikal të pozitës së shqiptarëve në këto anë.

 

 

Sipas asaj që shohim në terren, 9 subjektet politike shqiptare për zgjedhjet e 6 majit janë paraprakisht të ndara në dy blloqe, pra ato të cilat me të drejt nuk duan të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare e presidenciale dhe në ato që do të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare kurse kërkojnë bojkotin e zgjedhjeve presidenciale. Shikuar nga arritjet e viteve të fundit mos pjesëmarrja e elektoratit shqiptar në zgjedhjet parlamentare e presidenciale është veprim jo i padrejtë.

 

 

Konfuzioni i krijuar pa nevojë  nuk do tu ndihmoj aspak as spektrit politik as qytetarëve shqiptar të Luginës së Preshevës. Arsyetimin e daljes në zgjedhjet parlamentare e presidenciale, blloku i partive pjesëmarrëse në këto zgjedhje, e mbështet te gjoja sugjerimet e Bashkësisë ndërkombëtare për  pjesëmarrje edhe për kundër faktit se po e njëjta ka pasur vesh të shurdhër për pozitën e qytetarëve shqiptar në Serbi. Domosdoshmërisht, fajin për mos rekomandim e këshillim të prerë të daljes apo mos daljes në zgjedhjet parlamentare e presidenciale të subjekteve politike shqiptare e bartin edhe Prishtina zyrtare edhe Tirana zyrtare.

 

 

Kurse zgjedhjet lokale ndërlidhen drejtpërdrejt me jetën e qytetarëve e me këtë ato bëhen të domosdoshme e që nuk u nevojitet ndonjë rekomandim i veçantë nga askush. Po sikur shqiptarët si bashkësi etnike në Republikën e Serbisë do të kishin vende të rezervuara dhe privilegjet të cilat i gëzojnë serbët në Republikën e Kosovës do të ishte i drejtë e i nevojshëm participimi edhe në zgjedhjet parlamentare e presidenciale. Ndërsa participimi sa për dekor nuk u ka sjell deri më tani e as që shpresohet që do tu sjellë asnjë dobi shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

 

 

Klasa politika në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, por edhe qytetarët do të duhej ta kuptonin se vetëm përmes bashkëpunimit e bashkërendimit, jo vetëm që do të dilnin fitimtar të këtyre proceseve zgjedhore aktuale, mirëpo me theks të veçantë do të fitonin edhe në relacion me pozitën dhe nevojat imediate për progres të gjithëmbarshëm kombëtar të shqiptarëve në rajon.

SHPËRNDAJE