JONUZ FETAHAJ, shkrimtar nga Presheva (Rahovica)  

“Gropë e thellësi grope
Dy mijë vjet pash në tokë
Aromë dheu
Dardani e Kosovë”
(Vezë e qyqes)

(Jonuz Fetahaj)

 

 
Krijuesi duhet parë me dioptrinë e realitetit
“Preokupimi im si krijues, në radhë të parë, është që të pasqyroj fatin e njeriut tonë në kohë dhe hapësirë. Krijuesi duhet parë me dioptrinë e realitetit gjithë atë që e ka kapërcyer nëpër etapa të ndryshme kohore. Shkrimtari i përket kohës dhe ai duhet ta pasqyrojë atë në mënyrë sa më objektive”, thotë Jonuz Fetahaj

 

 

 

Jonuz Fetahaj është shkrimtar që i përket brezit të mesëm të gjysmës së dytë të shekullit të kaluar. Tok me një plejadë krijuesish ata bënë emër në krijimtarinë letrare. Që në dekadën e gashtë të shekullit XX, kur nisi të botojë në periodikun tonë letrar dhe në të përditshmet “Rilindja”, “Flaka e vëllazërimit”. Ushtroi profesionin e gazetarit në revistat “Shkëndija”, dhe “Bujku”, madje ishte edhe kryeredaktor i “Shkëndisë”, “Bujkut” dhe “Pionierit”. Ushtroi edhe detyrën e drejtorit të ndërmarrjes së revistave “Rilindja”.“Kosova Sot”: I përkisni një brezi të krijuesve që ishte produkt i një brezi paraprak të shkrimtarëve që me përkushtim punonin në entet dhe institucionet kulturore e letrare të asaj kohe. Çfarë mund të na thoni për atë kohë?
Jonuz Fetahaj: Është i saktë konstatimi se patëm fatin që bashkëjetuam dhe vepruam në një periudhë kur gërshetoheshin mendimet e dy brezave, i pari që ishte pikënisja e dalë nga Lufta e Dytë Botërore, e që bartte mbi vete një barrë të rëndë që nga zhdukja e analfabetizmit, krijimit të institucioneve, hartimit të teksteve dhe botimit të veprave të para, duke filluar nga Esad Mekuli, Anton Çetta, Enver Gjerqeku, Din Mehmeti, për të vazhduar pastaj me Azem Shkrelin, Rrahman Dedajn, Fahredin Gungën pastaj me brezin tim si Beqir Musliu, Teki Dervishi, Ymer Shkreli, Hasan Hasani, Agim Deva, Vehbi Kikaj. Ishte kohë kur bëmë hapat e parë nëpër faqet e revistave letrare, edhe pse të pakta për nga numri, por përmbajtësisht ishin në nivel, sepse kishte njëfarë rregulli dhe redakturë të mirëfilltë profesionale.“Kosova Sot”: Ju kujtohet poezia e parë dhe vëllimi i parë?
Jonuz Fetahaj: Poezia e parë u botua në revistën letrare “Pionieri”, më 1963, ndërsa vëllimi i parë me poezi “Shtegtime” më 1970, në botim të “Rilindjes”“Kosova Sot”: Sa ju ka ndihmuar apo penguar profesioni i gazetarit në punën krijuese?
Jonuz Fetahaj: Nganjëherë profesioni i gazetarit e pengon mjaft punën krijuese, por nganjëherë e ushqejnë njëra-tjetrën, sepse e mban kondicionin e shkrimit në nivelin çfarë i duhet një krijuesi. Shpeshherë temat, frymëzimet dhe gjetjet e tjera i gjen nëpër mjedise ku as që e pret, por që i japin shtytje që krijuesi të thellohet në botën e njeriut të rëndomtë, i cili e bartë gjithë bagazhin e dhembjes, përvuajtjes, por herë-herë edhe të krenarisë dhe të mburrjes. Andaj, krijuesi gjithherë duhet të angazhohet që të shënjojë gjithë atë frymëmarrje që e hasë në mjedisin që e rrethon. Po nuk e preke temën dhe problemin deri në masën e duhur, pa dyshim se as krijimtaria qoftë ajo në prozë, poezi apo edhe në beletristikë nuk do ta marrë ngjyrimin artistikë dhe peshën e mirëfilltë letrare.“Kosova Sot”: Si udhëheqës i revistave “Rilindja” keni qenë i burgosur për “padëgjueshmërinë” ndaj sistemit që ishte shtrirë përdhunshëm në gjitha sferat e jetës, e edhe në ndërmarrjen botuese gazetare “Rilindja”.
Jonuz Fetahaj: Ishte viti i “turbullirave” dhe i masave të dhunshme në tërë Kosovën. Nuk mbeti e paprekur edhe “Rilindja”. Pas ndalesës së saj aktiviteti vazhdoi në gjysmëilegalitet, por duke e parë se një dritare informimi duhej të ishte e hapur për lexuesin, nisi të dalë si e përditshme revista “Bujku”, e cila ishte pasuese e “Rilindjes”. Këtë gjë e vërejti pushteti i dhunshëm serb dhe në tetor më privoi nga liria bashkë me gazetarin Gani Bajrami, ndërsa ditë më parë ishte burgosur Xhemajl Rexhepi. Dënimin prej 60 ditësh e vuajta në burgjet e Prishtinës dhe Mitrovicës. Kjo ndodhi në fundvitin e vitit 1991.Kundër ndarjes së
krijimtarisë për të rritur dhe për fëmijë

“Kosova Sot”: T’i kthehemi sërish temës: shkruani për fëmijë dhe të rritur. Keni botuar shumë vëllime në poezi dhe prozë. Ku e ndjeni veten më komod, në krijimtarinë për fëmijë apo për të rritur?
Jonuz Fetahaj: Hapat e parë i kam bërë në letërsinë për fëmijë. Por, vëllimin e parë e botova me poezi për të rritur. Mendoj se nuk duhet pasur ndarje të krijimtarisë për të rritur dhe për fëmijë.
Mendoj se kemi krijimtari e cila i dedikohet një moshe dhe varet prej shijes së lexuesit.
Unë e kam lëvruar poezinë, poemën, tregimin dhe novelën për të rritur dhe për më të vegjlit. Kujtoj se ato kanë lënë gjurmë në artin e shkrimit ndër ne.
“Kosova Sot”: Sa vëllime keni botuar deri më sot?
Jonuz Fetahaj: Mbi njëzet vëllime. Po veçoj disa: “Përtej ëndrrës”, “Lulja e hirit”, “Vezët e qyqes”, “Kohës i ranë dhëmbët”, “Sofikada”, “Gjyshi frajer”, “Zogiliri”, “I biri i Rozafës”,
“Nuk është jeta cimilil, “Lumi i pa gjumi”, etj.

“Kosova Sot”:Viti i kaluar ishte vit i suksesit tuaj. Keni botuar një numër të konsideruar vëllimesh?
Jonuz Fetahaj: Aktiviteti im letrar është në vazhdimësi. Por viti që e lamë pas, pa dyshim se shënon një produktivitet të mirëfilltë letrar, sepse botova vëllimet “Nuk është jeta cimilim” (për fëmijë), poemën “Mall i zbardhur” një poemë për të rritur kushtuar Preshevës, që për mua është një “Çamëri” e dytë, mandej “Vetmi e bukur” një përmbledhje me proza poetike,”Gjurmë në ferk”, një përmbledhje me tregime për të rritur si dhe dy kurora sonetike “Drita në shkamb” dhe “Udhëtimi i parë”.

“Kosova Sot”: Pse dy kurorat sonetike, “Drita në shkamb” dhe “Udhëtimi i parë”, i keni shkruar në gegërishte?
Jonuz Fetahaj: Kam dashur t’ua ruaj aktualitetin kohor të tyre, sepse janë shkruar plot dyzet vjet më herët. Pra, atëherë kur ende nuk ishte aprovuar norma letrare. Ndërsa shkrimet e tjera janë gjitha në gjuhë të njësuar.

Preokupimi krijues, pasqyrimi i fatit të njeriut tonë

“Kosova Sot”: Çfarë pasqyron arti juaj i shkrimit?
Jonuz Fetahaj: Kujtoj se gjithë preokupimi im si krijues, në radhë të parë, është që të pasqyroj fatin e njeriut tonë në kohë dhe hapësirë. Të lë gjurmë e të gjurmoj për gjithë atë që ka ikur e rrjedhur ndër kohë, por që ka mbetur gjithmonë si një ngjarje dhe vazhdimësi për t’u rikthyer si një kujtesë e thinjur për të na bërë esull se çdo njeri, e edhe krijuesi, duhet parë me dioptrinë e realitetit gjithë atë që ka kapërcye nëpër etapa të ndryshme kohore. Sepse: shkrimtari i përket kohës dhe ai duhet ta pasqyrojë atë në mënyrë sa më objektive.

”Kosova Sot”: Sa lexohet sot?
Jonuz Fetahaj: Pak. Fare pak. Për të mos thënë aspak. Sepse në kohën e informatikës ”shija” për lexim, së paku kur bëjmë fjalë për mjedisin tonë, kujtoj se është në nivelin më të ulët. Dikur lexohej mjaft. Kishte interesim nga nxënësit, studentët, punëtorët e arsimit dhe shtresat e tjera. Sot, në këtë apati, askush nuk lexon. Kulturës dhe letërsisë i janë mbyllur të gjitha shtigjet. Nuk ka hapësirë as nëpër biblioteka shkollore, as në ato të qytetit. Me një fjalë institucionet tona shtetërore shumë pak i japin kujdes përhapjes së librit. Po drojë se ndoshta kjo në të ardhmen jo fort të largët do të na kthehet si bumerang. Se aty ku nuk depërton libri, shumë lehtë mund të hyjë droga, prostitucioni dhe gjithfarë ”marifetesh” të tjera që, dorën në zemër, gjithë shoqërisë do t’i kushtojë shumë shtrenjtë. Por atëherë është vonë. Preventiva duhet të jetë sot e jo nesër.

”Kosova Sot”: Çfarë mund të presim këtë vit?
Jonuz Fetahaj: Këtë vit në fazën finale është përmbledhja me tregime për fëmijë, një vëllim me prozën poetike ”Sizifit nuk ia di varrin”, përmbledhjet me poezi ”Shpalimi i dhembjes” dhe ”Gjeografia e lotit” si dhe një monografi për piktorin dhe krijuesin letrar Demir Behluli. (KosovaSot: Intervistoi: Isa VATOVCI

SHPËRNDAJE