Me rastin e 13 vjetorit të bombardimeve të NATO-së në Kosovë që shënoi edhe fillimin e çlirimit të Kosovës, kryeministri Hashim Thaçi ka organizuar një pritje për zyrtarët më të lartë shtetëror, si dhe përfaqësuesit ndërkombëtarë që veprojnë dhe punojnë në Kosovë.

Me këtë rast kryeministri i vendit ka thënë se duke iu falënderuar rezistencës qytetare, vizionit politik perëndimor, luftës së pa kompromis së UÇK-së dhe intervenimit të NATO-së, Kosova arriti çlirimin dhe fillimin e një jete të mirëfilltë demokratike.

“Duke ju falënderuar rezistencës qytetare, vizionit politik perëndimor dhe politikës kosovare, luftës së pakompromis së UÇK-së, rezistencës gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe intervenimit të NATO-s, Kosova arriti çlirimin dhe fillimin e një jete të mirëfilltë demokratike. Kosova kaloi vështirësitë e një shoqërie të dalë nga lufta me një vizion të qartë me ndihmë e shteteve mike, Kosova kaloi në procesin e tranzicionit dhe të krijimit të institucioneve legjitime, zhvillimit të demokracisë dhe përparimit ekonomik”, ka thënë ai.

Duke folur për periudhën pasluftës ,Thaçi ka përmendur të arriturat, duke thënë se pas 13 vjetësh të fillimit të fushatës ajrore të NATO-s Kosova është shtet i pavarur dhe sovran i njohur nga 89 shtete, është shtet i konsoliduar që po fuqizohet çdo ditë.

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin edhe presidentja e vendit Atifete Jahjaga, ambasadorë nga vende të ndryshme mike të Kosovës, si dhe deputetë e personalitete nga jeta politike e intelektuale./Kosovapress/

SHPËRNDAJE