SERBIA, BEOGRADI NË FLAKË – 13 vjet më parë nga bombardimet e NATO-s

Në ditën e sotme, 22 mars komandot e NATO-s kishin dhënë urdhër të bombarojnë Serbinë. Pra, sot e para 13 vjetësh  filluan sulmet ajrore të forcave të NATO-s kundër caqeve serbe në Kosovë dhe në Serbi. Sulmet filluan më 24 mars, 1999, pak para orës 20:00, me urdhër të ish-sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Javier Solana.

Fushata përfundoi më 10 qershor të po të njëjtit vit, me nënshkrimin e Marrëveshjes së Kumanovës. Më 3 prill, zëdhënësi i NATO-s, Jamie Shea, sqaroi arsyet e sulmeve të aleancës më të fuqishme ushtarake në botë: “Aksioni ushtarak i NATO-s i mbështet qëllimet politike të bashkësisë ndërkombëtare, për një Kosovë paqësore, shumetnike dhe demokratike, në të cilën të gjithë do të jetojnë në siguri”.

“Për këtë qëllim, Republika Federale e Jugosllavisë duhet të ndalë të gjitha aktivitetet shtypëse dhe luftarake dhe të tërheqë forcat e saj nga Kosova, si dhe të pranojë kushtet që të gjithë refugjatët të mund të kthehen sigurt në Kosovë, nën mbrojtjen e forcës ndërkombëtare të sigurisë”, theksoi Shea.

Pas 78 ditë bombardimesh, regjimi i Sllobodan Miloseviçit u përkul dhe i pranoi kushtet e Aleancës. Njoftimin, më 10 qershor, në Bruksel, e bëri sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Javier Solana. “Sot, mund të shpall se Milosheviçi ra dakort me pesë kushtet e bashkësisë ndërkombëtare, prandaj, pak çaste më parë, e udhëzova gjeneralin Klark që t`i pezullojë operacionet ajrore të NATO-s kundër Jugosllavisë”, theksoi Solana.

Dy ditë më vonë, komandanti suprem i NATO-s, gjenerali amerikan, Wesley Clark, njoftoi për hyrjen e trupave të para ndërkombëtare në Kosovë. Presidenti i atëhershëm amerikan, Bill Clinton, duke i krahasuar ngjarjet në Kosovë me ato të Hollkaustit, pati thënë se “NATO-ja u dha fund përpjekjeve të qëllimshme dhe sistematike për spastrim etnik dhe gjenocid”.


1 Komente

  1. shpejtim, March 22, 2012:

    Flaka i dalte Beligradit, e kurre driten e diellit me sy mos e pafte, deri n’Kijamet, inshaAllah, Amin, Paqe!

Komentoni