Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, të mërkurën, ka shënuar 12 vjetorin e themelimit të saj. Në këtë përvjetor, ka munguar lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili po mbahet në Tribunalin e Hagës nën akuzat për krime lufte në Kosovë.

Nënkryetari i AAK, Blerim Shala, në 12-vjetorin e themelimit të AAK-së, ka thënë se rëniet dhe ngritjet e kësaj partie erdhën si pasojë e largimit të liderit Haradinaj, she shkuarjes së tij në Hagë.

 

“Në 12 vitet e kaluara, si asnjëra parti tjetër në Kosovë, AAK ka pasë fatin që të bie dhe të ngritet, të largohet prej suksesit në zgjedhje dhe në politikë, atëherë kur ka qenë vetëm një hap larg suksesit të qëndrueshëm”, ka thënë Shala, duke shtuar se “kur Ramush Haradinaj u bë Kryeministër, pas koalicionit të madh me Presidentin historik të Kosovës, Dr.Ibrahim Rugovën, u pa se si mund dhe si duhet të udhëhiqet me Qeverinë e Kosovës”.

 

Por, sipas tij, ky hov u ndërpre për shkaqe të njohura.

 

“Kur Ramush Haradinaj pati mundësi, në vitet 2008/2009 të udhëheqë si duhet një fushatë zgjedhore, AAK dyfishoi votën në nivel të Kosovës në zgjedhjet e vitit 2009. Edhe ky hov u këput në gjysmë, për rrethana të njohura”, kujton nënkryetari Shala.

 

Ai tha më tej se Ramush Haradinaj, jo vetëm në vitet 2005 dhe 2010, kur shkoi me vullnetin e tij dhe me besimin e madh në drejtësinë ndërkombëtare në Tribunalin e Hagës, por “që prej se ky u bë njëri prej kryeprotagonistëve të çlirimit dhe të pavarësimit të Kosovës, Ramush Haradinaj ka ditë se çka duhet të zgjedhë: Shtetin dhe interesin kombëtar, të cilit ia ka nënshtruar jetën e vet dhe të familjes së tij, sakrificën e partisë së tij”.

 

“Jemi të bindur që hovi i tretë politik i Ramush Haradinajt që do të pasojë së shpejti, do ta dërgojë AAK-në aty ku kurrë nuk ka qenë, dhe do ta bashkojë AAK-në me kthesën aq shumë të duhur të Kosovës, dhe suksesin aq shumë të dashur të shtetit të Kosovës, në radhë të parë prej qytetarëve të Kosovës”, ka thënë në fjalën e tij nënkryetari i AAK-së, Blerim Shala, duke shtuar se “koha e Ramush Haradinajt dhe e AAK-së po vjen”. /Zëri/

SHPËRNDAJE