Në Muzeun e Lirisë në Shkup u mbajt sot ceremoni përkujtimore me rastin e 11 vjetorit të fillimit të luftës së UÇK-së në Maqedoni nën emblemën e UÇK-së.

Kryetari i Shoqatës së veteranëve të luftës së ish UÇK-së, Fazli Veliu mbajti fjalim para familjarëve të dëshmorëve dhe personaliteteve të larta shqiptare ku ishte i pranishëm edhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, i shoqëruar nga ministri i Mbrojtjes, Fatmir Besimi, kryetari i komunës së Çairit, Izet Mexhiti, zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani dhe shumë përfaqësues të tjerë të BDI-së.

“Fillimi i luftës qe i detyrueshëm për ne, mbasi djemtë dhe vajzat e kësaj ane ishin në mes të kufijve të Kosovës dhe të Maqedonisë pa rrugëdalje deri te të afërmit e tyre, pasi ata kanë kryer një mision të madh për t’i shpëtuar vëllezërit e tyre me një luftë të pabarabartë ndaj pushtuesve serb. Ishin ata të cilët qëndruan në Dukagjin dhe në Llap dhe në anët tjera të Drenicës të cilët prisnin një ditë të lumtur që të jenë pranë familjeve të tyre. Ishin ata që qëndruan në mesin e familjeve të Malinës dhe të Brezës dhe njëkohësisht të Tanushës të cilët ishin në një shtrëngatë të fuqishme të dimrit të acartë të vitit 2001 të cilët nuk mund të shkonin as në anën e Vitisë as në anën e Shkupit”, tha Veliu.

“Gjatë këtij muaji gjithë ana e malësisë së Shkupit i përjetoi të gjitha luftërat. Gjatë këtij muaji provuam ne atë që nuk e provojnë dot ballkanasit e as Evropa dhe më në fund vendorët dhe të tjerët dëshmuan se jemi këmbëngulës në arritjen e të drejtave dhe dinjitetit, kombit, fesë dhe përkatësive të tyre për të qenë vendor njëherë e përgjithmonë. Ishte fillimi i fillimeve ky… Ishte kapitulli ky… Pasuan të gjitha ngjarjet të cilat ishin edhe ju jeni dëshmitarë, kreu i atëhershëm i luftës ftoi dy subjektet që qëndronin atëherë legale në çdo anë atë të PDSH-së dhe PPD-së krerët e tyre në mënyrë që të veprohet në mënyrë dinjitoze, dhe deri në fillim të zgjedhjeve të para kjo gjë qe e tillë edhe deri në nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit. Sot kemi vendos që para këtij muzeu tonë të dëshmojmë se ne jemi me luftën që kemi qenë, por me luftën siç duhet të tjetërsohen gjeneratat e të parëve në mënyrë të dijes”, deklaroi ai.

“Zgjidhja e kombit për të gjithë është që ta bëjmë këtë vend siç duhet ta bëjmë, dhe të jemi gjithmonë të lirë duke i ndihmuar njëri tjetrit dhe të gjitha proceset që i presim të mos jenë të ngjashme siç ishin të përgjakshme si në të kaluarën, por të jenë të lumtura dhe njëkohësisht të jetë të ngjashme me sukseset e mëdha dhe të dinjitetit të Evropës dhe të botës për të qenë popull i civilizuar me cilësi mbarë kombëtare. Ne do të shkojmë përpara në rregullimin e rendit shtetëror, shoqëror, institucional në mënyrë që të jemi dinjitoz dhe njëkohësisht të sjellim të mira për Evropën dhe botën dhe e mira të kthehet me të mirë. Në këtë mënyrë duhet ta ruajmë vendin tonë, duhet ta ndërtojmë dhe ta përparojmë atë”, tha në fund të fjalimit kryetari i shoqatës së veteranëve të luftës së ish UÇK-së, Fazli Veliu.

SHPËRNDAJE